E Hënë, 2 Nëntor 2026

ANKARA – Trump: Lufta me Iranin nuk do të rifillojë, çdo përshkallëzim do të përfundojë shpejt

ANKARA, 8 korrik /ATSH/- Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se marrëveshja e armëpushimit me Iranin “ka marrë fund”, pas shkëmbimit të sulmeve gjatë natës mes dy vendeve, raportoi BBC.

Duke folur gjatë samitit të NATO-s në Turqi, Trump akuzoi Iranin për shkelje të marrëveshjes së përkohshme, të arritur në qershor dhe paralajmëroi se SHBA-ja mund të ndërmarrë sulme të tjera.

“Ne i goditëm shumë fort mbrëmë dhe me shumë gjasa do t’i godasim sërish fort sonte”, deklaroi Trump.

Ai kritikoi ashpër udhëheqjen iraniane, duke thënë se nuk dëshiron të vazhdojë më negociatat me Teheranin, pasi sipas tij autoritetet iraniane “gënjejnë dhe mashtrojnë”.

Marrëveshja, e njohur si memorandum mirëkuptimi, u nënshkrua më 17 qershor dhe parashikonte një armëpushim 60-ditor, vazhdimin e negociatave, garantimin e lëvizjes së anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe lehtësimin e disa sanksioneve amerikane ndaj Iranit.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi reagoi duke deklaruar se Irani nuk do t’u përgjigjet deklaratave të ashpra me të njëjtën gjuhë, por “me veprime, pa frikë dhe me vendosmëri”.

Zyrtarë të lartë iranianë paralajmëruan se çdo sulm i ri amerikan, do të përballet me kundërpërgjigje të menjëhershme.

Këshilltari i liderit suprem iranian, Ali Akbar Velayati, tha se Teherani do të reagojë ndaj çdo goditjeje të re.

Përshkallëzimi erdhi pas sulmeve të reja në rajon.

Ushtria amerikane njoftoi se kishte kryer goditje ndaj objektivave iraniane pas sulmeve ndaj tre cisternave në Ngushticën e Hormuzit.

Irani më pas deklaroi se kishte goditur baza ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt si kundërpërgjigje.

Tensionet ndikuan edhe në tregjet ndërkombëtare, me rritjen e çmimit të naftës, megjithëse nivelet mbeten nën vlerat e arritura gjatë periudhave të mëparshme të krizës në Ngushticën e Hormuzit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cilësoi sulmet amerikane si “të domosdoshme”, duke argumentuar se Irani kishte shkelur armëpushimin.

Megjithatë, Trump tha më vonë se nuk beson se lufta do të rifillojë në shkallë të gjerë dhe se çdo përshkallëzim i ri “do të përfundojë shpejt”.

Ai shtoi se negociatat mund të vazhdojnë vetëm, nëse pala iraniane tregon gatishmëri, por sipas tij aktualisht ato janë “humbje kohe”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›