ARRSH: Bllokimi i tunelit të Llogorasë i përkohshëm, punime në rrugët lidhëse

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se bllokimi i përkohshëm i tunelit të Llogorasë gjatë ditës së sotme është kryer në kuadër të masave të sigurisë për punimet që po zhvillohen në rrugët lidhëse të tunelit.
Sipas ARrSh-së, shpërthimi i planifikuar u realizua në orën 12:30, në prani të Policisë së Shtetit, e cila ndihmoi edhe për menaxhimin e qarkullimit të mjeteve.
ARrSh informoi se trafiku në këtë periudhë është minimal dhe rruga u bllokua për rreth 20 minuta.
Pas përfundimit të procesit dhe pastrimit të zonës, thekson ARrSh-ja, qarkullimi vijoi normalisht.
Punimet janë pjesë e segmentit rrugor të rrugëve lidhëse me tunelin e Llogorasë dhe synojnë rehabilitimin e rrugës ekzistuese në një gjatësi prej rreth 1 km nga dalja e tunelit në anën e Palasës, deri në kryqëzimin me rrugën e re Palasë-Dhërmi.
Aktualisht po punohet për zgjerimin e aksit ekzistues, si dhe për ndërtimin e një aksi të ri prej rreth 600 metrash, ku po kryhen punime gërmimi për trupin e rrugës.
/r.e/