E Diel, 1 Nëntor 2026

ATHINË – Ndërpriten fluturimet pas një problemi në sistemin teknik në aeroport

ATHINË, 4 janar /ATSH – ANA/ – Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës u pezulluan sot për shkak të një problemi teknik që ka ndodhur në sistemin e kontrollit të trafikut ajror.

Sipas një njoftimi të Aeroportit Ndërkombëtar të Athinës, “për shkak të një problemi teknik në sistemin e trafikut ajror, të gjitha mbërritjet dhe nisjet drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës janë pezulluar përkohësisht”.

Burime nga Autoriteti i Aviacionit Civil bëjnë të ditur se problemi ka ndodhur pak para orës 10:00 të mëngjesit, duke mbajtur të bllokuara në tokë avionët si në aeroportin “Eleftherios Venizelos”, ashtu edhe në aeroporte të tjera të vendit.

Si pasojë, mbërritjet dhe nisjet ajrore janë bërë të pamundura.
Ministria e Transportit theksoi se disa frekuenca që shërbejnë për  nevojat e sistemit të trafikut ajror të Athinës po përballen me probleme teknike, të cilat po hetohen në bashkëpunim me autoritetet kompetente të jashtme.

“Për të garantuar sigurinë e fluturimeve, aktualisht po shërbehet vetëm një pjesë e fluturimeve që kalojnë mbi hapësirën ajrore, ndërsa janë vendosur kufizime në aeroportet greke”, thuhet në njoftim.

Çështja mbetet nën hetim dhe priten njoftime të mëtejshme nga autoritetet përgjegjëse. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›