ATSH pjesë e ekspozitës “Udhëtim i Administratës Publike ndër vite”

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ “Java e Administratës Publike 2025 – Edicioni II”, organizuar nga ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, po zhvillohet me një seri aktivitetesh shumëdimensionale dhe ndërvepruese për angazhim të hapur, reflektim dhe dialog vizionar duke nxitur mendim kritik në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni tha se në kuadër të këtij aktiviteti, ka pasur diskutime të frytshme me partnerë ndërkombëtarë në Reformën në Administratën Publike.
Me këtë rast, u zhvillua edhe ekspozita me titull “Udhëtim i Administratës Publike Ndër Vite”, pjesë e së cilës ishte edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare me foto të ndryshme nga arkivi i saj, ku evidentohen momente pune nga punonjës të administratës ndër vite.
Në çeljen e kësaj ekspozite dokumentare dhe fotografike të shpalosur në ambientet e ish-Hotel Dajtit, ishin të pranishëm ministrja Pirdeni dhe përfaqësues të shumtë diplomatikë, të cilët patën mundësinë që të shihnin nga afër një përzgjedhje të pasur dokumentesh dhe fotografish arkivore që reflektojnë transformimin e administratës nga vitet e para të shtetformimit e deri më sot, një homazh për të gjithë ata që i kanë shërbyer me përkushtim shtetit shqiptar.
Ministrja Pirdeni ka falënderuar Këshillin e Evropës, Arkivin Qendror të Shtetit dhe ATSH-në për bashkëpunimin në këtë aktivitet.
Mes fotografive të përzgjedhura nga ATSH, në këtë ekspozite janë pasqyruar momente nga Salla e Librave në Bibliotekën Kombëtare, nga puna në laboratorin e fotografisë dhe buletineve në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nga Instituti i Kërkimit të Naftës, etj.
Ndërsa në mesin e materialeve të përzgjedhura nga DPA-ja, gjendeshin imazhe të godinave të institucioneve qendrore, si edhe dokumente mbi ecurinë e administratës publike në një kohështrirje që nis prej Qeverisë së Vlorës, për të mbërritur deri në hyrje të viteve ‘90-të.
Përgjatë javës do të organizohen një seri aktivitetesh multidimensionale, me tematika të ndryshme që prekin thelbin e modernizimit të administratës publike.
Nga ekspozita me titull “Udhëtim i Administratës Publike Ndër Vite 1 nga 16 1 nga 7/e.i/j.p/r.e/