Abissnet Superiore në RTSH/ Dinamo pret Vorën në “Air Albania”, Daja me disa mungesa

Dinamo City-Vora është një nga tri ndeshjet e javës së 17-të që zhvillohen sot dhe që vijnë në ekranin e RTSH. Ndeshja luhet në stadiumin “Ai Albania”, në orën 16:30.
Trajneri i bluve, Ilir Daja, do të ketë disa mungesa për këtë 90-minutësh, ku skuadra e tij kërkon kthesën, pas humbjes me Egnatian. Përveç mbrojtësit Naser Aliji, i cili ka nisur fazën e rikuperimit pas operacionit, Dinamo City ka dy mungesa të sigurta në mesfushë.
Klevi Qefalija ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë dhe duhet ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, pasi është i skualifikuar. Mesfushori ka shënuar në dy ndeshjet e fundit dhe është një mungesë e rëndësishme.
Tjetër mungesë në mesfushë është ajo e Bakary Gudiaby, i cili ka një shqetësim muskulor dhe nuk është në dispozicion të trajnerit Ilir Daja. Megjithatë, kryeqytetasit kanë një kontigjent të madh lojtarësh, çka bën që mungesat të mos ndihen shumë.
Vora vjen në këtë ndeshje pas një ecurie negative, me 3 humbje dhe 2 barazime në 5 javët e fundit.