Abuzime me tenderat në UKT, SPAK mbyll hetimet dërgon dosjen në gjykatë

Prokuroria e Posaçme ka çuar për gjykim në GJKKO tre ish-punonjësit e UKT-së, Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se Ramo, Dhami dhe Dedja, kanë marrë pjesë si anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave dhe më pas si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në procedurat për prokurimin me objekt “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT, me procedurë të hapur, me vlerë 143.618.333 lekë pa TVSH.
Ata akuzohen se gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesave kanë ndryshuar njërin nga specifikimet, që kishte të bënte me figurimin në listëpagesa të një punonjësi manovrator të mjeteve të rënda. Ata e kanë hequr këtë si kërkesë, për qëllime të favorizimit të shoqërisë “W Center” me ortak e administrator të pandehurin Bledar Shemaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Më pas gjatë vlerësimit të ofertave e kanë kualifikuar këtë shoqëri pavarësisht se nuk përmbushte njërin nga specifikimet e kërkuara.
Ndërkohë që Shemaj, akuzohet se ka paraqitur në këtë procedurë prokurimi një kontrate pune duke paraqitur rrethana të rreme mbi punësimin e shtetasit Q.M në shoqërinë e tij si manovrator i mjeteve të rënda, specifikim për të cilin kishte patur ankesa më parë nga operatorë të tjerë.
Po ashtu ai ka paraqitur rrethana të rreme në deklaratën e plotësuar prej tij mbi kontratat e paraqitura për marrjen me qira të mjeteve me të cilat do të kryente shërbimet, në një kohë që nga zbatimi i kontratës rezulton se shërbimi është kryer duke përdorur mjete që u përkasin shoqërive të tjera.
/rtsh.al/