E Diel, 1 Nëntor 2026

“Adoleshentë, jo studentë në grupin e zjarrit”/ Karamuço: Drejt përplasjes civile nëse nuk parandalohet dhuna

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të dhunës gjatë protestave në Tiranë, duke e cilësuar shqetësuese përhapjen e tyre edhe në qytete të tjera të vendit.

I ftuar në emisionin “Real Story”, ai deklaroi se në ballë të protestës ndodhen adoleshentë, të cilët, sipas tij, përbëjnë grupin më problematik të përplasjes me policinë.

Karamuço theksoi se veprimet e dhunshme, që sipas tij synojnë transportin publik, semaforët, rrjetet telefonike dhe bankat, nuk duken spontane, por të planifikuara dhe të mirëorganizuara. Ai paralajmëroi se, nëse dhuna nuk parandalohet, situata mund të çojë drejt përplasjeve civile dhe të rrezikojë stabilitetin e vendit.

“Sot unë pashë që pati një shpërndarje, u riaktivizuan disa grupe në vende të tjera të Shqipërisë, duke ndjekur të njëjtin skenar.

Kjo na çon në një disproporcion mes policisë dhe individëve. Shpërndarja e protestës në disa vende të Shqipërisë është një problem shumë i madh sa i takon sigurisë së vendit.

Qytetarët duan që të vazhdojnë një jetë normale. Mendoj që pjesa më e rrezikshme është balla e protestës, grupi i zjarrit, që janë gjimnazistë. Nuk është një mision spontan.

Është shumë i planifikuar dhe i mirëorganizuar. Janë fokusuar te ndalja e transportit publik, semaforët, rrjeti telefonik, bankat dhe grabitjet. Kjo do të sjellë përplasje civile që do të ishte më e rëndë për destabilitetin e vendit”, tha Karamuço.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›