E Diel, 1 Nëntor 2026

Agim Ibraimi emërohet Drejtor Sportiv i Partizanit

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Për skuadrën e Partizanit, e sotmja ka qenë një ditë e rëndësishme, pasi klubi ka zyrtarizuar Drejtorin e ri Sportiv.

Bëhet fjalë për Agim Ibraimin, i cili do të marrë një rol kyç në strukturat drejtuese të “Demave të Kuq”.

FK Partizani ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me Agim Ibraimin, i cili është prezantuar ditën e sotme nga presidenti Gazment Demi.

37-vjeçari nga Tetova do të jetë pjesë e organikës së klubit në postin e Drejtorit Sportiv dhe do të nisë menjëherë detyrën e tij në shërbim të skuadrës.

Zgjedhja e Ibraimit nuk është rastësore, pasi ai është një njohës i mirë i kampionatit shqiptar.  Gjatë karrierës së tij si futbollist, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në futbollin shqiptar, duke veshur fanellat e Kukësit dhe Dinamos.

Pas përfundimit të karrierës aktive, Ibraimi ka vijuar angazhimin në futboll në role drejtuese. Më herët, ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit Sportiv te KF Tirana, ku ka fituar eksperiencë të vlefshme në menaxhimin sportiv dhe ndërtimin e skuadrës.

Pas zyrtarizimit, Agim Ibraimi reagoi për herë të parë në rrjetet sociale, duke shkruar: “Me guxim. Gati për sfidën e radhës.”

Ibraimi zë vendin e Arbër Abilaliajt, i cili u nda nga Partizani disa muaj më parë, ndërsa klubi synon të forcojë më tej projektin sportiv për objektivat e sezonit në vazhdim.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›