E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti uron Kurtin: Kosova e lirë dhe e zhvilluar, ëndrra jonë e përbashkët

PRISHTINË, 29 dhjetor/ATSH/- Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka përgëzuar sot qytetarët e Kosovës për procesin zgjedhor në të cilin dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike.

Ahmeti shprehet se në Kosovë u zhvillua një proces i lirë, i ndershëm dhe plotësisht demokratik, në përputhje me standardet evropiane, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të saj.

Ai ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Kryeministrin Albin Kurti për fitoren e shënuar.

Ahmeti nënvizon se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj.

“Si dikush që ka dhënë kontribut për lirinë e Kosovës dhe që beson thellë në të ardhmen e saj, dëshiroj që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt, duke forcuar aleancën e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Kjo është rruga që garanton paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë”, shprehet ai.

Kreu i BDI-së, vë në dukje se Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar, ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë e përbashkët.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›