Akademiku Luan Omari mbush sot 101 vjeç, një nga themeluesit e Akademisë së Shkencave

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Sot akademik Luan Omari feston 101-vjetorin e lindjes.
Akademik Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Gjirokastër, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin italian të Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke u bërë një nga juristët më të përgatitur të brezit të tij.
Ai është i pari akademik shqiptar që ka kaluar një shekull jetë dhe njëherazi i fundit nga themeluesit e Akademisë së Shkencave që mbetet gjallë, që prej vitit 1972 kur u ngrit ky institucion.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ka qenë docent i së drejtës publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i së drejtës kushtetuese, sekretar shkencor dhe më pas zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave. Përtej kufijve të Shqipërisë, ai ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke sjellë perspektivën shqiptare në debatet evropiane mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese.
Akad. Omari ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e së drejtës kushtetuese dhe shkencave juridike, duke u bërë një figurë e spikatur e mendimit akademik shqiptar dhe evropian.
Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi të drejtën kushtetuese dhe sistemin juridik shqiptar, ka qenë një nga hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pas viteve ’90, duke vendosur bazat e shtetit demokratik, dhe ka formuar breza të tërë juristësh e akademikësh që sot mbajnë përgjegjësi të larta në jetën juridike dhe akademike të vendit.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Akademia e Shkencave e ka nderuar me Çmimin e Karrierës Akademike në vitin 2016, ndërsa në vitin 2020 Presidenti i Republikës e ka dekoruar me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin e tij si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri.
/r.e/