E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident i rëndë në Ferizaj: Lëndohen pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Ferizaj, ku janë përfshirë pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ), të cilët ndodheshin në krye të detyrës.

Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ngjarja ndodhi rreth orës 18:17, ndërsa zyrtarët po kryenin detyra zyrtare në kuadër të përgatitjeve për procesin zgjedhor.

Nga aksidenti, katër prej zyrtarëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në një deklaratë për media, KQZ shprehu shqetësim të thellë për ngjarjen dhe uroi për shërim të shpejtë të të lënduarve.

“KQZ shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të anëtarëve të KKZ-së në Ferizaj. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me ta dhe familjet e tyre”, thuhet në reagimin zyrtar.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›