Aksident i trefishtë në aksin Rrogozhinë-Lushnjë, drejtuesi i njërit prej mjeteve mbetet i bllokuar, ndërhyjnë zjarrfikësit

Tre automjete janë përplasur si pasojë e një manovre të gabuar gjatë tentativës për parakalim. Dy prej mjeteve kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa një automjet tip Skoda ka përfunduar i ngulur në barrierën e hekurt anësore, nga krahu i shoferit.
Drejtuesi i mjetit, një 30-vjeçar, mbeti i bllokuar brenda makinës dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve të Lushnjës për ta nxjerrë.
Pas operacionit të shpëtimit, ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Lushnjës me disa fraktura në trup, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndihmë të menjëhershme dhanë edhe kalimtarë të rastit, të cilët spostuan mjetin për ta larguar nga barriera e hekurt.
Policia e qarkullimit rrugor, pasi përcolli të plagosurin për në spital, po vijon procedurat për dokumentimin e aksidentit dhe për të hedhur dritë mbi shkaqet e ngjarjes.
Dyshohet se një manovër e gabuar në parakalim nga një prej mjeteve të përfshira ka qenë shkaku kryesor i përplasjes së tre automjeteve.
/rtsh.al/