E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksident tragjik në Maliq, makina e efektivit të policisë godet këmbësorin, ndërron jetë në vend

Një aksident me pasojë vdekjen ka tronditur mbrëmjen e sotme zonën e Maliqit. Një 67-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet që drejtohej nga një punonjës policie.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 18:10, në aksin rrugor “Maliq-Lozhan”.

Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, automjeti me drejtues shtetasin me iniciale D. Q., me detyrë punonjës policie, ka goditur shtetasin B. H., rreth 67 vjeç.

Përplasja ka rezultuar fatale për këmbësorin. Burimet policore konfirmojnë se si pasojë e plagëve të marra, 67-vjeçari ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje, pa mundur të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Menjëherë pas aksidentit, drejtuesi i mjetit, shtetasi D. Q., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Duke qenë se në ngjarje është përfshirë një efektiv policie, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë oficerët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), krahas grupit hetimor.

Nën drejtimin e Prokurorisë, ekspertët po punojnë për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë tragjedi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›