Aksidenti fatal në Devoll/ Arrestohet shoferi, përplasi për vdekje 62-vjeçarin

Policia e Korçës ka vënë në pranga shoferin e një automjeti që përplasi sot një 62-vjeçar, i cili ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra. Sipas burimeve zyrtare, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. P., 47 vjeç, banues në fshatin Sul të Devollit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Arrestimi i tij erdhi pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:45 në aksin rrugor Korçë–Bilisht, në afërsi të kryqëzimit të fshatit Tren, ku automjeti që ai drejtonte përplasi shtetasin L. Sh., rreth 62 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake, 62-vjeçari sapo kishte zbritur nga një automjet tjetër kur u godit nga mjeti.
Si pasojë e përplasjes, ai pësoi dëmtime të rënda trupore dhe u transportua në spitalin e Korçës, ku më vonë humbi jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/