Aksidenti tragjik në Durrës, Manja: Shumë shpejt në Kuvend ndryshime në Kodin Rurgor dhe Penal. Autori të marrë dënimin e merituar

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka bërë me dije se shumë shpejt mazhoranca do të depozitojë në Kuvend një paketë ndryshimesh në Kodin Rrugor dhe Kodin Penal. Kjo nismë e socialistëve vjen pas tragjedisë që tronditi Durrësin më 3 maj ku një automjet me drejtues 57-vjeçarin N.R përplasi për vdekje 2 të mitur dhe plagosi një tjetër fëmijë.
Manja theksoi se po shihen të gjitha boshllëqet që ka aktualisht Kodi Rrugor dhe ai Penal për t’i adresuar në mënyrën e duhur si dhe për të ashpërsuar masat.
Në fjalën e tij në mbledhjen e komisionit, ndërsa e konsideroi ngjarjen si tejet të rëndë, Manja kërkoi dënim të merituar për autorin duke theksuar se “ai nuk do të jetë më pjesë e shoqërisë”.
“Ajo ngjarje e rëndë ka prekur shumë ndjeshmëri te çdo shqiptar dhe prind. Nuk ka rëndësi se çfarë përfaqëson ai. Ai është një njeri që do duhet të marrë ndëshkimin e merituar sipas ligjit. Ngjarja është shumë e rëndë, bashkohem me ngushëllimet për familjet dhe shërim të shpejtë fëmijës që është në spital.
Ky komision ka përgjegjësi që këtë shqetësim që ka krijuar kjo ngjarje ta përkthejë në ndryshime ligjore. Së bashku me disa kolegë të tjerë të kësaj mazhorancë do ti drejtojmë shumë shpejt Kuvendit një paketë ndryshimesh në kodin rrugor dhe atë penal si kundërpërgjigje adekuate në nivelin e ndërhyrjeve ligjore kësaj situate. Natyrisht s’do duhet të ndodhin ngjarje të tilla për të pasur ashpërsim masash, por po shohim të gjitha boshllëqet që ka kodi rrugor e penal për të ashpërsuar masat, por po shohim boshllëqet që janë në këtë drejtim për t’i adresuar në masën e duhur.
Personi, autori i kësaj vepre penale gjithçka mund të përfaqësojë ai, por ai nuk meriton të jetë më mes nesh dhe të marrë ndëshkimin shembullor të merituar sipas ligjit”, tha Manja.
Aksidenti i rëndë u regjistrua pasditen e 3 majit në zonën e njohur si ish-Këneta. Fatkeqësisht, dy të mitur humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa një tjetër, vetëm 8 vjeç, mori plagë të rënda. Ai ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar reagime të shumta për problematikën e sigurisë rrugore dhe nevojën për respektimin e rregullave të qarkullimit.
/rtsh.al/