Aksidentoi për vdekje 74-vjeçaren në aksin Durrës-Tiranë, arrestohen babë e bir. Fshehën dhe riparuan makinën për të mbuluar gjurmët

Policia ka zbardhur aksidentin e ndodhur në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku humbi jetën një 74-vjeçare, ndërsa ka arrestuar drejtuesin e automjetit dhe djalin e tij, të dyshuar se janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe kanë tentuar të pengojnë zbardhjen e saj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:10 të datës 23 korrik, kur shtetasja M. T., 74 vjeçe, u përplas për vdekje nga një automjet në autostradën “Durrës-Tiranë”. Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit dyshohet se nuk i ka dhënë ndihmë viktimës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes pa njoftuar policinë.
Pas hetimeve, autoritetet identifikuan dhe arrestuan 65-vjeçarin Xh. M., banues në Durrës, si drejtuesin e dyshuar të automjetit që shkaktoi aksidentin.
Në pranga përfundoi edhe djali i tij, 32-vjeçari B. M., i cili ndodhej pasagjer në automjet në momentin e përplasjes. Sipas hetimeve, babë e bir janë larguar së bashku nga vendi i aksidentit, duke mos i dhënë ndihmë 74-vjeçares.
Policia dyshon se pas ngjarjes, 32-vjeçari ka fshehur automjetin tip “Mercedes Benz” dhe ka ndërhyrë për riparimin e dëmtimeve të shkaktuara nga përplasja, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Automjeti është gjetur dhe sekuestruar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe dokumentimin ligjor të përgjegjësive.
/rtsh.al/