Aksidentuan 7-vjeçarin në Tiranë, arrestohen drejtuesit e dy automjeteve

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Policia e Tiranës ka arrestuar sot dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksidentin ku humbi jetën një fëmijë.
Sipas Policisë, si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7-vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.
Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit. Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.
Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/k.s/a.f/r.e/