E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksioni ndaj ndërtimeve pa leje në Theth, policia e Shkodrës: Asnjë fadromë nuk u sulmua me lëndë djegëse

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Drejtoria vendore e Policisë Shkodër reagoi sot ndaj disa lajmeve të publikuara në media se në fshatin Theth janë sulmuar me lëndë djegëse (molotov) mjetet fadromë të IKMT-së dhe një urë në lagjen “Gjelaj”.

Policia sqaroi se rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme.

Policia nënvizoi se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth”, thuhet në reagimin e Policisë së Shkodrës.

Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse.

Policia theksoi se është e vendosur për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe të automjeteve që punojnë në zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe apelon për banorët që të mos kryejnë veprime që pengojnë veprimet e ligjshme të strukturave që operojnë në terren, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›