Akti i Shërbimeve Digjitale, takim dialogu për përafrimin e legjislacionit me BE-në

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi një takim dialogu në kuadër të procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian për Kapitullin 10 “Shoqëria e Informacionit dhe Media”, duke u fokusuar në transpozimin e Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).
Takimi u drejtua nga zëvendësministrja Enkelejda Muçaj dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile, akademisë dhe komunitetit të biznesit.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit u ndalën te përgjegjësitë e ofruesve të shërbimeve ndërmjetëse, nevoja për rritjen e transparencës dhe sigurisë online, si dhe forcimi i mekanizmave për mbrojtjen e përdoruesve.
Në fokus ishte gjithashtu garantimi i një hapësire digjitale më të sigurt, të besueshme dhe në përputhje me të drejtat themelore, në linjë me standardet e Bashkimit Europian.
Ky takim vjen në vijim të përpjekjeve për harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar me atë europian, duke synuar avancimin e mëtejshëm të reformave në fushën e shoqërisë së informacionit dhe medias.
e.xh/j.p/