E Diel, 1 Nëntor 2026

Akti normativ për rishikimin e buxhetit, Malaj: Borxhi publik në nivelin më të ulët që nga 2010, 2 mld lekë shtesë për fermerët

Ministri i Financave, Petrit Malaj, nga foltorja e Kuvendit deklaroi se Shqipëria ka aktualisht nivelin më të ulët të borxhit publik që prej vitit 2010, duke e cilësuar këtë si një tregues të stabilitetit fiskal.

Sipas Malajt, bonusi për familjet në ndihmë ekonomike është realizuar në masën 98.4%, ndërsa për personat me aftësi të kufizuara realizimi i buxhetit ka arritur në 99.5%.

Ministri bëri të ditur se përmes një akti normativ parashikohet transferimi i të gjitha fondeve të papërdorura në mbyllje të buxhetit 2025 në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë. Nga një vlerësim paraprak, shtoi ai, shuma minimale që do të kalojë në këtë llogari pritet të jetë rreth 115 milionë euro.

“Kjo nismë synon të krijojë hapësira të qëndrueshme për mbështetjen e pensionistëve, pa rrezikuar ekuilibrat fiskalë”, u shpreh Malaj.

Në fokus të fjalës së tij ishte edhe mbështetja për bujqësinë. Ministri njoftoi një financim shtesë prej 2 miliardë lekësh për fermerët, me qëllim mbulimin e të gjitha kërkesave të aplikantëve që plotësojnë kriteret e skemës së mbështetjes për vitin 2025.

Malaj theksoi se fondi total i alokuar për fermerët për vitin 2025 arrin në 6.4 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin 2024. Ai shtoi se realizimi i fondeve për skemat mbështetëse ka arritur në 90%, ndërsa për kompensimin e naftës në 93%.

“Kemi një financim shtesë përmes këtij akti normativ për fermerët në masën 2 mld lekë, me qëllim mbulimin e të gjithë kërkesave të aplikantëve të skemës së mbështetjes që plotësojnë kriteret për masat mbështetëse për vitin 2025.

Fondi i alokuar në total për 2025-ës nga të cilët fermerët kanë përfituar drejtpërdrejtë shkon në masën 6.4 mld lekë. Kjo është 1.1 mld lekë më shumë se në 2024-ën. Realizimi i fondit për skemat mbështetëse është në masën 90%. Ndërsa për kompensimin e naftës është në masën 93%”, deklaroi Malaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›