Alarm në Japoni pas tërmetit 7.5 të shkallës Rihter, banorët paralajmërohen të jenë gati për evakuim

Të plagosurit nga tërmeti i mbrëmjes së të hënës (8 dhjetor) në Japoninë verilindore tashmë kanë shkuar në të paktën 30 persona, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë verifikimet në terren. Lëndimet janë raportuar kryesisht në Aomori dhe Hokkaido, zona ku aktiviteti sizmik është i shpeshtë.
Autoritetet thanë se lëkundja kryesore kishte magnitudë 7.5, pas një raportimi fillestar prej 7.6. Banorëve u është kërkuar të jenë të përgatitur për evakuim, pasi në ditët në vijim priten tërmete të tjera të forta.
Agjencia Meteorologjike lëshoi për herë të parë një alarm të veçantë për zonat bregdetare të Hokkaidos dhe vijën Sanriku. Tërmeti ra rreth orës 23:15 dhe solli paralajmërime për cunami, me dallgë deri në 70 centimetra. Paralajmërimet u hoqën më vonë, por frika mes banorëve mbeti e lartë.
Lëkundja u regjistrua në një thellësi prej 53 kilometrash, pranë bregut të Aomorit. Kryeministrja Sanae Takaichi u kërkoi njerëzve të qëndrojnë vigjilentë dhe të sigurojnë gjithçka të paqëndrueshme në shtëpi. “Qeveria u kërkon banorëve të jenë gati për evakuim nëse ndihet ndonjë lëkundje tjetër”, deklaroi ajo.
Pas goditjes kryesore u regjistruan disa pasgoditje nga magnituda 5 deri në 6.6 ,ndërsa autoritetet thanë se nuk ka raportime për probleme në centralet bërthamore të rajonit.
/RTSH/