Alarm për rrjetet e narkotikëve, operacion i koordinuar me EUROPOL në Kosovë

Një operacion i gjerë kundër krimit të organizuar është duke u zhvilluar në disa lokacione të Kosovës, nën drejtimin e Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni lidhet me hetime për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe veprimtari të tjera kriminale që dyshohet se janë kryer nga një grup i organizuar.
Autoritetet po hetojnë veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, si dhe “Pastrimi i parave”.
Operacioni po zhvillohet në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, ku krahas institucioneve vendore janë angazhuar edhe përfaqësues të Europol, si dhe autoritetet ligjzbatuese nga Belgjika, Franca dhe Holanda.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se pas përfundimit të aksionit do të publikojnë një komunikatë të përbashkët me detaje mbi rezultatet e operacionit, numrin e personave të arrestuar dhe provat e sekuestruara.
Ky operacion konsiderohet një nga aksionet më të rëndësishme të muajve të fundit në luftën kundër trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjeteve kriminale që veprojnë në rajon.