E Diel, 1 Nëntor 2026

Alesia Balliu shpërthen ndaj Berishës: Sali frikacaku! Mos na i faturo ne lidhjet e tua me Ramën

Demokratja Alesia Balliu ka “shpërthyer” ndaj kreut të PD-së Sali Berisha, pasi ky i fundit e ka akuzuar se ka bërë fushatë për parti të tjera dhe se ka bashkëpunuar me qeverinë.

Në një reagim në rrjetet sociale, ajo i thotë kreut të PD-së që të mos i faturojë demokratëve si ajo, atë çfarë bën ai dhe djali i tij me Edi Ramën.

Teksa ka rreshtuar disa pyetje kundrejt Berishës, Balliu thotë se Berisha nuk e kontrollon dot më PD-në dhe se kjo e fundit është kthyer në një klikë.

Balliu i ka përmendur Berishës edhe shpalljen ‘non grata’ disa vite më parë nga SHBA, për të cilën i kërkon arsyen se pse nuk ia kanë hequr akoma.

“Si ka mundësi që biznesmenët që punonin me ty, punojnë edhe me Ramën? Sali, kthe përgjigje para demokratëve: si ka mundësi që PD-ja, që nga 2021, është minus 300 mijë vota? Kthe përgjigje pse nuk arritët ta bashkoni PD-në. Kthe përgjigje pse SHBA-ja nuk po ta heq damkën e “non grata”-s. Sali frikacaku, nuk pres më përgjigje nga ty, sepse ti nuk e kontrollon më atë parti; ajo është kthyer në një klikë”, shkruan ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›