E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibej: Kam urdhëruar gjashtë vrasje, armët për krimet i kam siguruar tek një person që njihej si hoxhë

Dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë, Erion Alibej, rrëfeu se ka urdhëruar ekzekutimin e gjashtë personave. Për njërin, Anxhelo Avdinë, thotë se nuk kishte dhënë porosi të vritej, por fatkeqësisht ai u gjend në makinë me autorin që i kishte vrarë vëllain, Endrit Alibej. Ka qenë pikërisht ekzekutimi i këtij të fundit që çeli sagën e gjatë të hakmarrjeve, e që shkaktuan disa viktima nga përplasja e fortë mes grupeve të organizuara në Elbasan.

Po, jam financues i vrasjes së Dorian Shkozës. Jam pjesëmarrës në vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, Bujar Celës, Rigers Runajt dhe Emiliano Ramazanit. Vrasjen e Dorian Shkozës e kam porositur, pasi kërkoja me çdo kusht Talo Çelën. Nga hetimi që bëra me Nuredinin, mësova disa persona të tjerë që kishin marrë pjesë në vrasjen ndaj familjes sime. Nuredin Dumani më tha që është person që ka marrë pjesë në ekzekutimin e familjarëve të mi. Nuk kam ç’të them për Anxhelo Avdinë. Ka qenë në kohën e gabuar, në vendin e gabuar. Unë vetë ndjeva keqardhje. Për vrasjen e tij e mora vesh përmes televizorit, mos gaboj. Nuk kisha dëgjuar më parë për të , i penduari i drejtësisë, Erion Alibej.

Alibej thotë se, veç financimit, Nuredin Dumanit, që kreu krimet në emër të tij, i kishte gjetur edhe armët e vrasjes.

“Armët për krimin i kam siguruar unë. Kam pasur një kontakt të dikujt që njihej si hoxhë. Kontaktin ia dhashë dikujt tjetër. Kam folur në “Encro” dhe “Sky” me të. Nuk e di emrin e tij. Më niste edhe foto të armëve. Altin Skëndaj ma dha si kontakt. Hoxhën për armë e kam kontaktuar disa herë. Kam marrë disa herë armë prej tij”

Nga dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe Erion Alibejt, tre vite më parë SPAK zbërtheu aktivitetin e të paktën 8 grupeve kriminale me 32 të akuzuar, ku pjesa më e madhe janë të arrestuar. Disa prej krerëve janë në arrati, të fshehur në Dubai apo pa gjurmë, si Talo Çela e Ervis Martinaj.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›