E Martë, 3 Nëntor 2026

Alihmehmeti me gjuhën e Berishës: KAS vijoi farsën duke mos lejuar administrimin e videove

Procesi i rinumërimit të fletëve të votimit të qarkut të Tiranës konsiderohet për Ilir Alimehmetin si vjedhje e dytë e votave.

Në një intervistë për RTSH-në, kandidati demokrat për deputet në zgjedhjet e 11 majit shprehu kritika të forta për vendimmarrjen e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), i cili duke mos lejuar hapjen e videove për numërimin e parë, lejoi të ndodhë, sipas tij, vijimin e “farsës së 11 majit”.

“Videot nuk u administruan. E vërteta është në video. Prova është në video. Pra, në metodologji ato rihapin këto prova që tashmë i kishim parë qartë se janë ndryshe nga videot. Duke hapur të njëjtën gjë, do të gjesh po këtë që ke bërë herën e parë dhe herën e dytë. Duke qenë se KAS-i nuk heq dorë nga vjedhjet, mbas farsës që bëri me rinumërimin e 11 Majit shkon dhe e thellon vjedhjen,” u shpreh z. Alimehmeti.

Ai preferon të mos komentojë nëse votat e tij preferenciale janë kalkuluar për ndonjë kandidat tjetër të listës së hapur, qoftë edhe të të njëjtit formacion politik. Megjithatë ai pranon se në procesin e numërimit ka pasur shtim votash.

“Metoda më e përdorur ka qenë metoda kur votuesi nuk ka votuar asnjë kandidat, por ka votuar vetëm subjektin zgjedhor. Pra, ne e quajmë këtë skedë të bardhë për sa i përket kandidatëve. Këtu janë shtuar vota pastaj,” thotë z. Alimehmeti.

Në këto kushte, rinumërimi i qarkut të Tiranës duket se nuk do të sjellë surprizë për Ilir Alimehmetin, i cili do të duhet të mbetet jashtë parlamentit. Por votat preferenciale të marra konsiderohen inkurajuese nga ai për të vijuar angazhimin politik në Partinë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›