E Martë, 3 Nëntor 2026

Alimehmeti, Kalaja dhe PBKD i drejtohen Kolegjit Zgjedhor për rinumërimin e votave

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Disa nga kandidatët e opozitës që kanë pretendime për votën preferenciale brenda koalicionit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore kanë depozituar kërkesat për rinumërimin e votave.

Ilir Alimehmeti nga PD, i cili doli i dyti më i votuari në listën e hapur të qarkut të Tiranës në garën e 11 majit, ka depozituar ankimimin në shkallën e dytë, në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës Administrative të Apelit, teksa shorti do të hidhet ditën e nesërme (3 qershor).

Paralelisht të njëjtin ankimim e ka bërë edhe Partia e Ballit Kombëtar Demokrat për qarkun e Durrësit, ku pretendues për parregullsi në numërimin e votave.

PBKD i kërkon Kolegjit Zgjedhor rinumërimin e votave në këtë qark dhe pavlefshmërinë e rezultatit të 11 majit që ka certifikuar fillimisht dhe më pas rrëzimin e ankimimit që i ka bërë KAS-i.

Një tjetër kandidat i PD-së që kërkon rinumërim, veçanërisht për KZAZ-në e Tropojës, është edhe Shkëlqim Shehu, i cili humbi mandatin e listës së hapur përballë kolegut të tij, deputetit Isuf Çela, pas numërimit të votave të diasporës.

Shehu kryesonte numërimin brenda vendit dhe doli fitues, por vota e diasporës përmbysi raportin.

KAS i rrëzoi kërkesën Shehut më 27 maj dhe ai ankimoi në Kolegjin Zgjedhor, ku gjithashtu si në dy rastet e mësipërme, do të hidhet nesër shorti në Apelin e Gjykatës Administrative, Tiranë.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›