Alizoti: Irani, vend problematik. Cenon interesat amerikane në rajon. SHBA synon asgjësimin e regjimit

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se sulmet amerikane dhe izraelite mbi Iran synojnë të asgjësojnë regjimin e mullahëve.
Alizoti vuri në dukje se Irani rrezikon ekzistencën e Izraelit dhe se është aleati i Rusisë duke e furnizuar atë me dronët e famshëm ‘Shahed’.
“Amerikanët dhe Izraeli kanë qëllim që të asgjësojnë regjimin e mullahëve sepse në radhë të parë Irani rrezikon ekzistencën e Izraelit. E ka doktrinë politike ekzistenciale. Është aleati i Rusisë. Ka furnizuar gjithë kohën Rusinë me dronët e famshëm ‘Shahed”, u shpreh Alizoti.
Sipas tij, Irani është vend problematik për interesat amerikane në Lindjen e Mesme. Alizoti theksoi më tej se ky është momenti më i mirë për amerikanët në mënyrë që të bëjnë ndryshimin e regjimit në Iran.
“Është një vend problematik për interesat amerikane. Rusia nuk është në atë gjendje si në luftën e Ftohtë që mund të shkaktojë një lloj problemi në Lindjen e Mesme. Kështu që është momenti më i mirë për amerikanët dhe izraelitët që të bëjnë ndryshimin e qeverisë në Iran. Kjo është në interes parësor edhe të Arabisë Saudite. Arsyeja që Irani godet me raketa zonën përreth do të tregojë potencialin e tij. Për Izraelin dhe Amerikën, në aspektin ushtarak Irani nuk përbën rrezik. Por, mesa kam dëgjuar dhe lexuar presidentin e Amerikës që pretendon se duke e goditur nga ajri bashkë me Izraelin, Iranin që pakënaqësia popullore të rritet dhe të ndryshojë regjimi. Kjo është e vështirë sepse Bushi i vjetër këtë e ka tentuar në Irak”, tha më tej Alizoti.
/rtsh.al/