E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i OSBE-së nga Korça: Protestat janë pjesë normale e demokracisë

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran i ka cilësuar protestat e zhvilluara në Tiranë, gjatë më shumë se 40 ditëve, si një shprehje normale të jetës demokratike.

Gjatë një prononcimi për mediet nga Korça, ambasadori tha se “protestat janë një aspekt normal i jetës demokratike dhe më vjen mirë që Shqipëria është një vend ku ato mund të organizohen në mënyrë shumë paqësore. Në përgjithësi, pas më shumë se një muaji, nuk ka pasur incidente të rëndësishme dhe qytetarët kanë protestuar në mënyrë civile dhe ky është një aspekt i jetës demokratike të vendit”.

“Ne jemi shumë të kujdesshëm që e drejta e qytetarëve për të marrë pjesë në protesta të respektohet nga autoritetet dhe inkurajojmë dialogun kur kjo është e mundur”, u shpreh ambasadori.

I pyetur për polarizimin politik në vend, Tarran tha se “fakti që ekzistojnë pole të ndryshme politike është diçka normale dhe kjo është karakteristikë e vendeve demokratike. Pra nuk duhet ta shikojmë polarizimin negativisht. Problemi është sesi diskutojnë polet e ndryshme. Dialogu politik në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur, jo vetëm për përmbajtjen e dialogut, por edhe për mënyrën si zhvillohet ai”, deklaroi ai.

Ambasadori i OSBE-së theksoi rëndësinë e respektit në komunikimin politik, duke kundërshtuar gjuhën e urrejtjes në debatin publik.

“Mund të kesh qëndrime krejtësisht të kundërta, por ato duhet të shprehen me respekt. Gjuha e urrejtjes nuk është e pranueshme”, tha Tarran.

Ai bëri të ditur se OSBE-ja do të vijojë angazhimin për nxitjen e dialogut politik dhe forcimin e standardeve demokratike në vend.

“Mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen përmes debatit demokratik dhe respektimit të rezultateve të zgjedhjeve”, përfundoi ambasadori i OSBE-së.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›