Ambasadorja e Holandës vlerëson progresin e Shqipërisë: Progres-raporti evidenton përparimin dhe sfidat në reforma

Politikë | 19 minuta më parë
Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, gjatë një vizite në Korçë, ka komentuar progres raportin e Komisionit Europian, ku vlerësoi përparimin e bërë nga Shqipëria, por theksoi se liria e medias dhe liria e shprehjes mbeten çështje që kërkojnë më shumë vëmendje.
“Sikundër ndoshta keni parë dhe keni dëgjuar në lidhje me raport progresin ai shënon shumë nota pozitive për të cilët Shqipëria ka bërë progres. Megjithatë njëkohësisht shënohen dhe shumë çështje të cilat kërkojnë akoma vëmendje dhe punë. Çështja e lirisë së medias, lirisë së shprehjes është një pikë për të cilën dhe ne jemi këtu sot në Korçë për të parë se si liria e medias mund të adresohet nëpërmjet sistemit gjyqësor. Prandaj jam shumë e kënaqur që jam në Korçë për të diskutuar mbi këtë çështje”, u shpreh ambasadorja e Holandws, Marleen Monster.
Sa i përket reformës në drejtësi, ambasadorja u shpreh se vendi ka hyrë në një fazë të re, atë të konsolidimit, ku rëndësi të veçantë ka zbatimi konkret i reformave dhe përmbushja e angazhimeve të marra.
“Unë mendoj që Shqipëria tashmë ka filluar një sërë reformash siç është për shembull reforma në drejtësi, e cila tashmë ka arritur në një fazë të re që është faza e konsolidimit dhe besoj që kjo ka të bëjë jo vetëm me atë çfarë është e shkruar në letra por dhe zbatueshmëria e saj dhe të qëndruarit deri në fund të angazhimeve që janë marrë në kuadër të këtyre reformave”, tha ambasadorja.
Ambasadorja komentoi edhe protestat në vendin tonë, duke i cilësuar ato një të drejtë themelore të qytetarëve, ndërsa u shpreh e shqetësuar për episodet e dhunës gjatë tyre.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.