E Hënë, 2 Nëntor 2026

Analisti Cakolli: Presidentja e Kosovës ka 10 ditë për të gjetur një zgjidhje politike

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e RTSH 24, analisti politik dhe përfaqësuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Eugen Cakolli, komentoi zhvillimet e fundit politike në Kosovë pas dështimit të të mandatuarit për kryeministër për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend.

Cakolli theksoi se kjo është herë e parë në historinë politike të Kosovës që një kandidat për kryeministër, ndonëse fitues i zgjedhjeve, nuk arrin të formojë qeverinë.

“Kjo është hera e parë në historinë e politike të Kosovës që  i mandatuari për kryeministër herën e parë nuk arrin të sigurojë votat për një qeveri përkundër një rezultati pozitiv në zgjedhjet e fundit. Dështimi i djeshëm ka qenë deri diku  i pritur. 6-7 muaj në Kosovë bllokada dhe probleme të tilla. Raportet mes partive jo vetëm që kanë mos pajtime politike mes tyre por kohëve të fundit janë lëshuar edhe në akuza ndaj  Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh analisti.

Sipas tij, raportet mes forcave politike janë përkeqësuar ndjeshëm, duke kaluar nga mospajtimet programore në akuza të drejtpërdrejta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Duke folur për mundësitë e zhvillimeve të ardhshme, Cakolli u shpreh se gjasat më të mëdha janë që Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, megjithatë ai nuk përjashtoi plotësisht mundësinë e formimit të një qeverie të re brenda afatit 10-ditor që ka presidentja e vendit.

“Gjasat më të  mëdha janë që të kemi zgjedhje por nuk pres që të ketë zhvillime përgjatë afatit 10 ditor. Periudhë gjatë së cilës presidentja e Kosovës duhet ti thërras në konsultim me subjektet politike dhe që ndonjë prej tyre pa përjashtuar edhe Vetëvendosjes arrin të dëshmojë që e ka siguruar numrat qoftë me marrëveshje koalicion apo me “peshkim’ individual të deputetëve nuk përjashtohet mundësia që vendi të ketë  qeveri të re”, u shpreh Cakolli.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›