Analiza e “Times”: Si do të ndikojnë rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit në luftën e Iranit
Presidenti Trump nuk ka treguar asnjë shenjë se ka ndërmend të ndryshojë kursin ndaj Iranit për momentin, edhe nëse partia e tij nuk kontrollon më Dhomën e Përfaqësuesve ose Senatin.

Megjithatë, pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, Trump nuk mund të anashkalonte faktin se lufta jopopullore i kishte kushtuar shtrenjtë partisë së tij. “Mendoj se një pjesë e kësaj humbjeje erdhi për shkak të Iranit”, i tha ai televizionit Fox News. Çmimet e karburanteve ishin rreth 40 për qind më të larta se një vit më parë, kur amerikanët votuan të martën, pjesërisht si pasojë e luftës. “Por, në të njëjtën kohë, njerëzit e kuptuan rëndësinë e asaj që kam bërë me Iranin”, këmbënguli ai.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë planifikuar një ofensivë të re ajrore, më intensive, e cila me shumë gjasë do të përballet me sulme hakmarrëse iraniane kundër bazave amerikane dhe instalimeve të naftës në Gjirin Persik, duke i shtyrë edhe më tej lart çmimet e karburanteve. Rrjedhjet e informacionit në mediat amerikane kanë lënë madje të kuptohet se një humbje do ta tërbonte Trumpin dhe se ai do ta shfrynte zemërimin e tij ndaj Iranit.
Votimi do të ketë pasoja afatgjata për rajonin, udhëheqësit e të cilit po ndjekin nga afër ndryshimin e ekuilibrit të forcave politike në Uashington. Nëse këto zgjedhje nxorën në pah qartë dy çështje, ato ishin jopopullariteti i luftës në Lindjen e Mesme, të ndërmarrë nga presidenti që pretendon se ndjek politikën “Amerika e Para”, si dhe rënia historike e mbështetjes së elektoratit për Izraelin.
Izraeli ka larguar nga vetja shumë demokratë, si votues, ashtu edhe ligjvënës. Ai po përgatitet për një pikë kthese në marrëdhënien e tij të kahershme me SHBA-në, e cila mund të ndikojë në qasjen shumëdekadëshe të Uashingtonit për t’i dhënë trajtim preferencial në shitjen e armëve dhe në mbështetjen ushtarake në rajon. Një qasje kjo që ka shkaktuar pakënaqësi te disa prej aleatëve të tjerë të Amerikës. Trump ka lënë të kuptohet tashmë se mund ta ndërpresë ndihmën amerikane për Izraelin edhe përpara se marrëveshja aktuale të përfundojë në vitin 2028.
Irani po feston tashmë humbjen e kandidatëve të Trumpit në zgjedhje. “Amerikanët thanë jo luftës dhe ne e përshëndesim këtë mesazh”, shkroi në një postim në platformën X Mohammad Ghalibaf, kryetari i parlamentit iranian.
Mojtaba Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, deklaroi të mërkurën se kushdo që pret një ndryshim të politikës amerikane pas zgjedhjeve të mesmandatit, “gabohët rëndë”. Ai paralajmëroi gjithashtu se përmasat e luftës do të jenë “shumë më të gjera” nëse ajo rifillon.
“Ata që ende ushqejnë qoftë edhe shpresën më të vogël se sjellja e sistemit hegjemonist mund të ndryshojë përmes ndërrimit të partive apo të fraksioneve politike, ose që imagjinojnë se lëshimet ndaj Shteteve të Bashkuara mund ta bindin atë të heqë dorë nga armiqësia ndaj popullit iranian, gabohen rëndë”, thuhej në deklaratën e shkruar, të publikuar në faqen e tij zyrtare.
“Nëse akte të tilla agresioni përsëriten, përmasat e luftës do të bëhen shumë më të gjera”, tha Khamenei, i cili nuk është shfaqur ende në publik që kur mori detyrën në mars.
Vendet e tjera të rajonit do të kenë qëndrime të ndryshme. Vendet e Gjirit Persik, të cilat fillimisht kishin kundërshtuar luftën amerikane kundër Iranit, mund ta mirëpresin një Senat më të moderuar, por edhe ato kanë llogaritë dhe interesat e tyre politike. Për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin, fitorja në Senat e demokratëve përparimtarë, të cilët kanë qenë kritikë ndaj të dyja vendeve, do të përbëjë një burim shqetësimi.
Të dyja vendet janë kategorikisht kundër Vëllazërisë Myslimane dhe lëvizjeve islamiste, dhe nuk bëjnë dallime të imta kur bëhet fjalë për kandidatë si Abdul El-Sayed i Miçiganit. Ky i fundit i kishte bërë thirrje presidentit egjiptian të Vëllazërisë Myslimane, Mohammed Morsi, që pas revolucionit të vitit 2011 të spastronte institucionet shtetërore dhe të sigurisë nga mbështetësit e regjimit të vjetër.
Një tjetër kandidat fitues, Adam Hamawy, prindërit e të cilit janë me origjinë nga Egjipti, kishte qenë në rininë e tij ndjekës i të ashtuquajturit “sheiku i verbër”, Omar Abdel-Rahman, përpara se të bëhej oficer i ushtrisë amerikane dhe të ndërtonte një karrierë të shquar ushtarake.
Edhe Arabia Saudite mund të jetë e shqetësuar. Mbretëria ka pasur historikisht marrëdhënie më të afërta me administratat dhe Kongresin e kontrolluar nga republikanët. Një marrëveshje e miratuar në fillim të këtij viti nga Trump, që synon të ndihmojë mbretërinë në ndërtimin e centraleve bërthamore, është kritikuar gjerësisht nga demokratët dhe tani do të përballet me kundërshtim më të fortë në Senat./The Times