E Diel, 1 Nëntor 2026

“Anija luftarake ‘HMS Dragon’ vendoset në Mesdhe”, Starmer: Mbretëria e Bashkuar rrit praninë ushtarake në Lindjen e Mesme

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se qeveria e Britanisë së Madhe po ndërmerr masa të reja për të mbrojtur qytetarët e saj mes tensioneve me Iran.

Ai pranoi se shumë njerëz janë të shqetësuar për familjarët e tyre dhe për ndikimin që konflikti mund të ketë në ekonomi dhe siguri.

“E di që njerëzit janë shumë të shqetësuar për familjet dhe miqtë e tyre që janë të përfshirë në këtë situatë, për ndikimin në jetën dhe ekonominë tonë, si dhe për potencialin për një përshkallëzim edhe më të madh”, tha Starmer.

Sipas tij, Britania fillimisht mbështeti një zgjidhje të negociuar për programin bërthamor të Iranit dhe për këtë arsye nuk iu bashkua sulmeve të para kundër tij. Por situata ndryshoi pasi Irani nisi sulme ndaj vendeve në rajon.

“Ndërsa rajoni është zhytur në kaos, fokusi im ka qenë në ofrimin e një lidershipi të qetë dhe të ekuilibruar në interesin kombëtar. Do të thotë të kemi forcën për t’u qëndruar të vendosur vlerave dhe parimeve tona, pavarësisht presionit për të vepruar ndryshe. Prioriteti ynë numër një është mbrojtja e popullit tonë”, tha ai.

Starmer njoftoi se Britania do të dërgojë katër avionë luftarakë Typhoon në Qatar, ndërsa helikopterë Wildcat me aftësi kundër dronëve do të vendosen në Qipro.

“Dua të jem shumë i qartë; kjo është një sipërmarrje e madhe. Është një nga operacionet më të mëdha të këtij lloji, shumë herë më i madh se evakuimi nga Afganistani. Nuk do të ndodhë brenda natës, por ne nuk do të ndalemi derisa njerëzit tanë të jenë të sigurt”, tha Starmer.

Ai shtoi se më shumë se 4,000 persona janë kthyer tashmë në Britani, ndërsa disa fluturime të tjera pritet të mbërrijnë gjatë ditës. Kryeministri theksoi se ky është një operacion shumë i madh evakuimi dhe paralajmëroi se konflikti mund të zgjasë, duke u bërë thirrje qytetarëve britanikë të qëndrojnë të bashkuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›