Apeli: Një vit burg Ervin Salianjit! Deputeti i PD: Vendim politik! Fushatën do ta bëj nga qelia

Dënohet me një vit burg deputeti demokrat Ervin Salianji nga Apeli i Përgjithshëm.
Ai u shpall fajtor për “Kallëzim të rremë” për dosjen Babale ku përmes një audio-përgjimi akuzoi vëllain e ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, Geron Xhafajn si trafikant droge.
Menjëherë pasi u dënua, Salianji tha se do të bëjë fushatë për zgjedhjet parlamentare të 2025 nga burgu.
“Unë do të jem në dispozicion dhe do ta bëj burgun ku të dua këta, këta do të jem në dispozicion të bandave dhe nuk kanë se çfarë të më bëjnë asgjë. Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshëm, jam i dënuari i parë politik në 34 vite dhe do ta bëj fushatën nga burgu”, deklaroi Salianji.
Dënimin e tij Salianji e quan politik.
“Dosje e kopsitur vendimmarrje politike, dënim politik, dënimin e parë pas 32 vitesh për agjitacion propagandë. Kam bërë shërbim për interesin publik. Nuk kam bërë betejë për veten, për të vjedhur si këta, për të vrarë, për trafik. por kundër trafikantëve të drogës. Kjo është akti i parë, në të ardhmen do keni procese të tjera, Mamale tani jo babale. Kjo nuk është asgjë. Jam i nderuar dhe kam një medalje që shndrit në karrierën politike. Do diskutojmë prapë”, tha Salianji.
Vendimi nuk u prit mirë nga deputetët demokratë që sulmuan njërin prej gjyqtarëve.
Apeli ndërkohë la në fuqi edhe vendimin për Alfred Alizotin që mori psudonimin Babalja e që imitoi zërin e Geron Xhafajt.
Alizoti u dënua me 3 vjet e pesë muaj burg, ndërsa gazetari që publikoi audiopërgjimin, Jetmir Olldashi, u dënua me 100 orë punë në komunitet./vizionplus.tv