E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arabia Saudite: Normalizojmë marrëdhëniet me Izraelin nëse krijohet shteti palestinez

Arabia Saudite do të pranojë normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin vetëm nëse krijohet një “rrugë e pakthyeshme” drejt krijimit të shtetit palestinez, tha një burim saudit për mediat ndërkombëtare.

Deklarata vjen pasi Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje sot Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë dhe Pakistanit që t’i bashkohen menjëherë marrëveshjeve të Abrahamit (Abraham Accords), para çdo marrëveshjeje të SHBA-së me Iranin.

Administrata Trump e sheh normalizimin saudo-izraelit si “gur themeli” të marrëveshjeve të Abrahamit. Megjithatë, përpjekjet në këtë drejtim janë ngecur kryesisht për shkak të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gazë.

Që prej asaj kohe, Riadhi ka insistuar në mënyrë të përsëritur se çdo marrëveshje e tillë duhet të shoqërohet me përparim të prekshëm në çështjen palestineze.

Burimi saudit theksoi se pa një angazhim konkret dhe të pakthyeshëm për shtetin palestinez, normalizimi me Izraelin mbetet i pamundur.

Ky pozicion i Riadhit vjen si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj presionit të ri amerikan për zgjerimin e marrëveshjeve historike të normalizimit të marrëdhënieve midis vendeve arabe dhe Izraelit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›