Armand Duka rikonfirmohet president i FSHF-së, në krye të futbollit shqiptar edhe 4 vite

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit rikonfirmoi sot besimin e plotë ndaj drejtimit aktual, duke zgjedhur Armand Dukën president për një mandat të ri katërvjeçar. Ky është mandati i 7-të i Armand Dukës në krye të FSHF-së.
Vendimi u mor me votë unanime nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote, një shprehje e qartë e mbështetjes dhe unitetit brenda komunitetit të futbollit shqiptar.
Procesi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku delegatët vlerësuan lidershipin, vizionin dhe kontributin e Presidentit Duka në zhvillimin e futbollit në vend, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ dhe institucional.
Ky mandat i ri jo vetëm konfirmon lidershipin e presidentit Duka, por edhe angazhimin e FSHF-së për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, promovim të talenteve të rinj dhe rritje të standardeve të futbollit shqiptar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.