Armanda Begaj dhe Zonja e Parë e Lituanisë vizitë në Muzeun Arkeologjik Tiranë

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Zonja e Parë e Republikës, Armanda Begaj, dhe Zonja e Parë e Republikës së Lituanisë, Diana Nausėdienė kanë zhvilluar një vizitë në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Akademisë së Shkencave.
Gjatë vizitës, zonjat u njohën me koleksionet e ekspozuara të muzeut, si edhe me fondet arkeologjike të Institutit të Arkeologjisë, të cilat përfaqësojnë një pasuri me vlerë të lartë shkencore dhe kulturore dhe ofrojnë dëshmi të rëndësishme mbi zhvillimin e shoqërive njerëzore në territorin shqiptar përgjatë mijëvjeçarëve. Dy zonjat u pritën dhe u shoqëruan nga dr. Melsi Labi dhe Gema Kraja, të cilët prezantuan veprimtarinë muzeore dhe kërkimore të institucionit, si edhe pasuritë arkeologjike që ruhen dhe studiohen në kuadër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan edhe mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Lituanisë në fushat e arkeologjisë, muzeologjisë dhe kërkimit shkencor.
Në këtë kuadër, u shkëmbyen mendime mbi shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës profesionale, si dhe mbi krijimin e lidhjeve më të ngushta ndërmjet institucioneve kërkimore, muzeore dhe akademike të të dy vendeve. Interesimi i treguar për këto mundësi bashkëpunimi u vlerësua si një nxitje e rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore, shkencore dhe akademike ndërmjet Shqipërisë dhe Lituanisë.
Në përfundim të vizitës, si shenjë mirënjohjeje dhe kujtim i kësaj vizite të veçantë, Zonjave të Para iu dhurua botimi i Institutit të Arkeologjisë “Recent Archaeological Discoveries in Albania”, si edhe disa suvenire me simbole përfaqësuese të trashëgimisë dhe identitetit kulturor shqiptar.
1 nga 5/r.e/