Armëpushim dhe sulme/ Izraeli sërish zjarr në Gaza, Trump marrëveshja është ende në fuqi

Armëpushimi në Gaza vazhdon, edhe pas sulmeve të së dielës që lanë disa të vrarë.
Presidenti amerikan Donald Trump këmbënguli se marrëveshja është ende në fuqi, shtoi se udhëheqja e Hamasit mund të mos jetë e përfshirë në shkeljet e dyshuara të marrëveshjes.
Ushtria izraelite tha se goditi objektivat e Hamasit në të gjithë enklavën pasi një sulm i mëparshëm vrau dy ushtarë të saj. Sulmet e Izraelit vranë të paktën 45 persona, sipas banorëve vendas dhe autoriteteve shëndetësore.
Zyra qeveritare e medias në Gaza e drejtuar nga Hamasi ka thënë se Izraeli ka vrarë 97 palestinezë dhe ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit 80 herë që kur ajo filloi.
Ndërkohë ushtria izraelite tha se do të rifillojë zbatimin e armëpushimit pas përplasjeve të fundit. Nga ana tjetër Hamasi është shprehur se është i përkushtuar ndaj armëpushimit dhe paralajmëroi se sulmet mund ta çojnë situatën drejt një kolapsi total.
Mirëpo raportimet nga Rripi i Gazës tregojnë se edhe këtë të hënë situate shfaqet e ngjashme. Në Gazën jugore ka pasur të paktën tre shpërthime, ndërsa në Gazën qëndrore u raportua për sulme të ushtrisë izraelite. Kjo e fundit tha gjithashtu se hapi zjarr ndaj dy grupeve militantësh që kaluan vijën e verdhë të tërheqjes ne Gazën veriore.
Në mes të zhvillimeve të fundit, i dërguari i Trump për lindjen e mesme, Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Jred Kushner kanë mbërritur në Izrael, teksa presioni amerikan është i nevojshëm për të vazhduar marrëveshjen.
Mediat amerikane raportojnë edhe për një vizitë të pritshme të zëvendëspresidentit JD Vance, me synimin për të përgatitur terrenin për të hyre në fazën e dytë të marrëveshjes.
Por tensionet janë të larta, pasi Izraeli ndër të tjera kufizoi ndjeshëm ndihmat humanitare që hyjnë në Gaza, pasi sipas tyre Hamas nuk ka respektuar kushtet e rënda dakord.
Pika kufitare e Rafah vijon të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm dhe Izraeli ka thënë se hapja e saj do të varet nga mënyra se si Hamasi përmbush premtimin e tij kthimin e te gjitha pengjeve. 20 pengje te gjalla janë dorëzuar e po ashtu 12 te vdekura. Hamas ka thënë se nuk e di ku ndodhen trupat për shkak të shkatërrimit në enklavë, teksa këtë të hënë kanë mundur të gjejnë një tjetër trup./abcnews.al