E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Armiku i jashtëm”, ekspozitë me karikaturat e revistës “Hosteni” në COD

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, hapën mbrëmë ekspozitën “Armiku i jashtëm” me kurator Bashkim Shehun.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur përfytyrimet se si mund të ishte “armiku i jashtëm” nëpërmjet karikaturave të revistës politiko-humoristike “Hosteni” përgjatë viteve të diktaturës 1945-1990.

Ekspozita është një kujtesë vizuale dhe kulturore për mekanizmat e propagandës së kohës. Vendet zyrtarisht mike të Shqipërisë pakësoheshin kohë mbas kohe duke u shndërruar menjëherë në vende armike në një proces që solli vetizolimin total të vendit.

Në ceremoninë e inaugurimit të ekspozitës në COD, krahas kuratorit Bashkim Shehu, ndanë reflektime dhe kujtime për rolin e “Hostenit” në jetën publike të kohës edhe Zhani Ciko dhe Përparim Kalo, duke sjellë një pasqyrë të gjallë të kontekstit historik dhe kulturor të atyre viteve.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për publikun deri më datën 23 gusht. /j.p/

1 nga 22

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›