Arrest me burg për Viktor Gushin: Jam i penduar, nuk e dija se do vija deri këtu

Viktor Gushi
I përditësuar - Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë arrest me burg për Viktor Gushin, autor i dy vrasjeve, dy plagosjeve dhe 16 grabitjeve e tentativave për grabitje.
Gjatë seancës gjyqësore, Gushi u shpreh i penduar për krimet. “Jam i penduar, nuk e mendoja se do të vija deri këtu”, ishin fjalët e tij.
Ndërsa dje, një video e rrëfimit të ftohtë të krimeve nga Viktor Gushi është transmetuar në mediat audiovizive (pamjet e regjistruara nga policia janë transmetuar në televizionin ABC News).
Në videon mbi 10 minuta, Gushi rrëfen pa asnjë problem vrasjet dhe grabitjet e kryera në kryeqytet.
Gjatë pyetje-përgjigjeve vërehet një mungesë serioziteti dhe profesionalizmi nga ana e Policisë së Shtetit. Nga pamjet duket qartë se intervista është kryer në ambientet e shtëpisë së vrasësit.
Publikimi i videos vjen pasi me radhë zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm folën në media duke trumbetuar arrestimin e Gushit si një arritje të jashtëzakonshme.
Policia ka bërë të ditur se 44-vjeçari është kapur pas informacioneve të marra në rrugë operacione në numrat e telefonave të vënë në dispozicion (për këtë ishte vënë edhe një shpërblim prej 10 mijë eurosh). Finalizimi është bërë nga oficerë të shërbimit të kontrollit të brendshëm. /F.S/
Shihni videon:
http://www.youtube.com/watch?v=x4zpv2RIQvY
* * *
Policia: Vrasësi i arkëtares, autor i 16 veprave, grabiste për të luajtur bixhoz
Njeriu që terrorizoi Tiranën 24 orët e fundit është një i varur nga lojërat e fatit. Policia e Tiranës ka qartësuar profilin e vrasësit të arkëtares së bankës, Eleonora Kaloçi, dy ditë më parë dhe argjendarit Rrapo Sinani. 44-vjeçari Viktor Gushi, nga Patosi, u arrestua pasditen e së enjtes, në banesën ku j
etonte me qera në kryeqytet. Sipas drejtorit të policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, operacioni i koduar Banka, përveç prangosjes së vrasësit dhe grabitësit Gushi, ka zbardhur edhe 15 ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në periudhën kohore 2008-2012.
44-vjeçari Gushi ka pranuar se është autor i vrasjes së arkëtares Eleonora Kaloçi, por edhe të argjendarit Rrapo Sinani, si dhe plagosjes së rojës së bankës, Skënder Elmazi.
Ai ka deklaruar se ka vepruar i vetëm dhe ishte frekuentues i rregullt i lojërave të fatit dhe kazinove. Sipas Çaushajt, pas çdo grabitjeje, ai i depozitonte paratë në një nga llogaritë e tij bankare, për ti tërhequr më pas kur i duheshin për të luajtur. Me mbarimin e parave, ai niste projektimin e një tjetër grabitjeje. / Gazmira Ndoja
Patos, të afërmit e Gushit: Nuk duam të dëgjojmë emrin e tij
Të afërmit e Viktor Gushit banues në Dukas të Patosit mohojnë lidhjen familjare me të dhe familjen e tij. Banorët e zonës që e kanë njohur 37-vjeçarin e arrestuar për vrasjen e arkëtares në Tiranë, nuk duan të flasin për të duke shprehur me gjeste opinionin që ndajnë për Viktor Gushin.
Disa banorë që nuk pranuan të flisnin para kamerave thanë se 37-vjeçari edhe përpara arrestimit të tij, megjithëse nuk jetonte në këtë lagje prej vitesh, kishte lënë pas një reputacion të keq duke bërë që edhe te xhaxhallarët e tij të mos e pranonin si nipin e tyre. Banore të tjerë kujtojnë se i ati i Viktorit, i ndarë nga jeta, kohë më parë ka qenë njeri i respektuar por nuk preferojnë të flasin për të birin. Familja e 37-vjeçarit mësohet se jeton në Selanik të Greqisë. /K.Thana/