E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimet në Elbasan, Lamallari: Shtim të kontrolleve në të gjitha IEVP-të

TIRANË, 23 janar /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari reagoi sot pas operacionit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në IEVP Elbasan, ku u arrestuan tre persona për futje të lëndëve narkotike në burg.

“Përgëzoj operacionin e Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në IEVP Elbasan për goditjen e një mekanizmi kriminal të futjes së drogës brenda burgut dhe vënien para drejtësisë të tre të dyshuarve. Sikundër e theksova në takimin e fundit me drejtuesit e këtij shërbimi dhe drejtuesit e IEVP-ve në mbarë vendin, çdo përpjekje për të cenuar sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit do të marrë përgjigjen e merituar me të gjithë forcën e ligjit”, thekson Lamallari.

Lamallari shkruan se ShKBB do të intensifikojë kontrollet në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend.

“Kontrollet nga SHKBB do të intensifikohen, verifikimet do të jenë të vazhdueshme dhe goditjet do të jenë pa tolerancë ndaj çdo shkeljeje të ligjit. Çdo punonjës që tradhton detyrën dhe bëhet pjesë e skemave kriminale do të përfundojë përpara drejtësisë. Siguria në burgje është vijë e kuqe. Kush e kapërcen, merr vetëm një përgjigje: përballje me drejtësinë”, shkruan ai.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), pas një hetimi të thelluar disamujor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, finalizoi operacionin kundër veprimtarisë kriminale në burgun e Elbasanit.

Për këtë ngjarje u arrestuan tre persona, mes tyre edhe një punonjës i policisë së burgut në Elbasan. Sipas ShKBB “hetimi, i zhvilluar me metoda speciale, zbuloi një skemë bashkëpunimi për futjen e lëndëve narkotike në institucion me qëllim përfitimin financiar”.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›