Arrestimi i Maduros, Vuçiç: Rendi juridik ndërkombëtar dhe karta e OKB-së nuk funksionojnë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç iu drejtua publikut pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mbajtur pas kapjes së presidentit të Venezuelës Nikolas Maduro nga forcat amerikane mëngjesin e 3 janarit.
“Pas zhvillimeve në Venezuelë, është e qartë se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së nuk funksionojnë, ekzistojnë vetëm në letër. Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, u shpreh Vuçiç.
Lideri serb shtoi se gjatë 18 muajve në vijim vendi i tij do të dyfishojë kapacitetet ushtarake dhe njerëzore, duke i rritur ato me 30%.
“Serbia duhet të mbështetet te vetja”- u shpreh Vuçiç.
Ai tha se Beogradi dëshiron miqësi me Shtetet e Bashkuara, por nënvizoi se është detyra e tij të thotë kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Serbia ka forcuar bashkëpunimin me Venezuelën, ku një ndër arsyet është edhe se vendi i Amerikës Latine nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
/rtsh.al/