E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet i kërkuari nga GJKKO

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Policia e Lezhës ka finalizuar sot operacionin e koduar “Member”, duke vënë në pranga një person të shpallur në kërkim nga GJKKO për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Policia njoftoi se 36-vjeçari me inicialet F. P është arrestuar në Ishull-Shëngjin.

Sipas Policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 11.04.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara për një shtetas në kërkim që qarkullonte në Ishull-Shëngjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Member”.

Policia cilësoi një njoftim, se shtetasi F. P akuzohet se ka qenë pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve dhe se ka pastruar paratë e përfituara nga kjo veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

/e.i//a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›