E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Arrestohet në Spanjë me qëllim ekstradimi 36-vjeçari i akuzuar për vrasje në tentativë - ATSH -

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Një 36-vjeçar i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted” në Spanjë me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Policia e Shtetit bën të ditur se 36-vjeçari A.N lindur në Shkodër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestua si rezultat i marrjes së informacionit nga strukturat e Policisë  dhe shkëmbimit në kohë të tij me Interpol Madridin.

Në vitin 2022, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Sipas Policisë, 36-vjeçari akuzohet se në muajin mars 2022, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të subjektit në pronësi të shtetasit S. S., në lagjen “Skënderbeg”, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin për të finalizuar procedurën e ekstradimit të 36-vjeçarit në Shqipëri.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›