Arrihet marrëveshja për mineralet, SHBA do të shfrytëzojë resurset e Ukrainës! Trump: Të përkushtuar për paqen

Pas muajsh të tërë negociatash të tensionuara, SHBA ka nënshkruar një marrëveshje me Ukrainën për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve të saj të energjisë dhe mineraleve.
Po ashtu, dy vendet kanë rënë dakord të krijojnë një fond investimesh për rindërtimin, për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës nga lufta me Rusinë.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e cilësoi marrëveshjen historike.
“Kjo marrëveshje i sinjalizon qartë udhëheqjes ruse se administrata Trump është e përkushtuar ndaj një procesi paqeje të përqendruar në një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të begatë në planin afatgjatë. Është koha që kjo luftë mizore dhe e pakuptimtë të marrë fund. Vrasjet duhet të ndalen dhe, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe qeveria e Ukrainës, presin me padurim funksionalizimin e shpejtë të këtij partneriteti historik ekonomik”, tha Scott Bessent.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump u shpreh se kjo marrëveshje do t’i japë SHBA-së shumë më tepër sesa Uashingtoni shpenzoi për ndihmën ndaj Ukrainës.
“Biden u dha atyre 350 miliardë dollarë, midis parave të gatshme dhe pajisjeve ushtarake… dhe ne nuk morëm asgjë. Ne bëmë një marrëveshje ku marrim shumë më tepër në teori sesa 350 miliardë dollarët”, u shpreh Trump.
Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, e ka quajtur marrëveshjen e mineraleve të drejtë, ndërsa ratifikimi i saj pritet të bëhet që sot. Ky hap mes dy vendeve u mirëprit edhe nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.
“Mbretëria e Bashkuar mirëpret hapat e ndërmarrë nga SHBA-të dhe Ukraina për të nënshkruar një partneritet ekonomik. Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën mbetet e palëkundur. Me partneritetin tonë 100-vjeçar, ne po thellojmë lidhjet ekonomike dhe të sigurisë për brezat e ardhshëm të të dy vendeve tona”, deklaroi David Lammy.
Marrëveshja pritet të ndikojë edhe në negociatat që SHBA po bën për t’i dhënë fund konfliktit të Ukrainës me Rusinë./vizionplus.tv