Art dhe pasion mbi argjendin, Lindita Musa, e vetmja argjendare grua në Shkodër

Në Shkodër mes zanateve që po i rezistojnë kohës është edhe ai i argjendarisë. Prej dekadash Lindita Musa është e lidhur fort me artin e metaleve të çmuara që mbetet pjesë e përditshmërisë së saj edhe sot.
“14-vjec jam futur në zanatin e artistikes, në repartin e argjendarisë dhe u dashurova me këtë punë”, u shpreh Musa.
Me kalimin e viteve puna në argjend ka ndryshuar por mjetet e saj artizanale janë ende pjesë e punës së saj duke i dhënë çdo krijimi finesë të veçantë.
Në Shkodër Lindita Musa është e vetmja grua artizane e argjendit një zanat i dominuar kryesisht nga burrat.
“Vështirësi kam pasur sepse shkrirja dhe rrahja e telave kërkonte forcë”, tha ajo.
Për Linditën puna artizanale mbetet zemra e këtij zanati që shpreson të mos humbasë me brezat e rinj. Lindita Musa vazhdon ta ushqejë me pasion artin e argjendarisë, sepse për të çdo punim është një histori e gdhendur në metal të çmuar.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/