Arti shqiptar humb një nga figurat e tij më të dashura, ndahet nga jeta aktori dhe regjisori Gjergji Lala

Arti shqiptar është në zi. Aktori dhe regjisori i njohur, Gjergji Lala, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Ai mbylli sytë në një spital në Itali, vendi ku jetonte prej vitesh dhe ku vazhdonte të ushtronte profesionin e tij me të njëjtin pasion që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.
Lajmi i hidhur ka trishtuar familjarët, miqtë, kolegët dhe publikun shqiptar, që për dekada e ndoqi dhe e duartrokiti në skenë e në ekran. I lindur më 6 dhjetor 1947 në Lushnjë, Gjergji Lala ndërtoi një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në teatër dhe kinematografi, duke u shndërruar në një nga emrat më të njohur të artit skenik shqiptar.
Me talentin, seriozitetin dhe përkushtimin e tij, ai interpretoi dhjetëra role që mbeten pjesë e fondit të artë të kinemasë dhe teatrit shqiptar. Publiku do ta kujtojë veçanërisht për interpretimin e personazhit të Mihal Gramenos në filmin Liri a vdekje, një rol që dëshmoi aftësitë e tij artistike dhe që mbeti ndër figurat më të spikatura të karrierës së tij.
Kolegët e kujtojnë si një njeri fisnik, profesionist të përkushtuar dhe një artist që e deshi skenën deri në frymën e fundit. Kontributi i tij në artin shqiptar do të mbetet një pasuri e çmuar për brezat që do të vijnë. Kujtimi dhe vepra e Gjergji Lalës do të mbeten përherë pjesë e memories sonë artistike.
/RTSH/