Arti shqiptar në Zi – I jepet sot lamtumira e fundit aktorit të njohur vlonjat Mane Lumani

Arti dhe skena shqiptare janë në zi. Aktori i njohur vlonjat, Mane Lumani, një prej figurave më të dashura të humorit shqiptar dhe anëtar i grupit legjendar “4 Parodistët e Vlorës”, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.
Prej fundit të muajit dhjetor, Mane Lumani ndodhej i shtruar në repartin e reanimacionit në spitalin e Vlorës, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore si pasojë e problemeve me mushkëritë dhe zemrën. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti ta fitojë betejën, duke lënë pas një boshllëk të madh në jetën artistike të vendit.
Me ndarjen e tij nga jeta, kultura shqiptare humbi një artist që për dekada me radhë u kthye në simbol të buzëqeshjes dhe humorit të hollë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e publikut.
Rrugëtimi artistik i Mane Lumanit nisi në vitin 1974, kur ai hodhi hapat e parë si aktor amator në ndërmarrjen e Ullishtës në Vlorë. Talenti i tij spikati që herët për mimikën e veçantë, elasticitetin skenik dhe aftësinë për të sjellë personazhe plot jetë e natyrshmëri.
Kthesa e madhe në karrierën e tij erdhi me bashkimin me aktorët Agron Hoxha, Afrim Agalliu dhe Muhamet Lika, duke formuar grupin që do të hynte në historinë e humorit shqiptar.
Trashëgimia që lë pas Mane Lumani është ajo e një artisti që e jetoi skenën me pasion dhe thjeshtësi, duke fituar dashurinë e publikut.
/rtsh.al/