“Artizani i Ri” në Korçë, nismë kreative që synon ruajtjen dhe zhvillimin e traditave artizanale

Korça do të mirëpresë një tjetër nismë kreative që synon ruajtjen dhe zhvillimin e traditave artizanale. “Thurje handmade” ka hapur aplikimet për projektin “Artizani i Ri”, një trajnim i dedikuar për të rinjtë që janë të pasionuar pas artit, krijimtarisë dhe punimeve me dorë.
Në këtë program do të përzgjidhen 10 të rinj plot energji e dëshirë për të mësuar, të cilët do të kenë mundësinë të trajnohen falas në punimin tradicional me tezgjah.
“Ky zanat sa vjen dhe është në zhdukje, moshat e që e praktikojnë më shumë janë moshat e mëdha, por nuk ka të rinj që ta njohin deri tani kemi marrë aplikime të rinjsh që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë projekt”, u shpreh Xhorxhia Maçka, artizane.
Trajnimi do të zhvillohet në Qendrën Rajonale Rinore Korçë, duke ofruar një përvojë të rrallë që lidh trashëgiminë me të ardhmen.
“Këta të rinj do të trajnohen për rreth 1 muaj, që të mësojnë nga teoria dhe praktika për të mësuar si të thurin qilimat, teknikat tradicionale dhe ato moderne”, tha ajo.
Afati i fundit për aplikim është data 15 shtator, ndërsa nisma mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Bashkinë Korçë.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/