“Asgjë që vjen nga Berisha për Kosovën sështë e mirë”, kreu i PD-së i përgjigjet Ballës: Mohoni gjenocidin, Rama argat i Vuçiç

Gjatë seancës së sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka debatuar me kreun e PD-së Sali Berisha.
Balla komentoi kërkesën për mocionin me debat lidhur me gjenocidin serb në Kosovë dhe i renditi Sali Berishës një sërë akuzash. Ai tha se çdo kërkesë nga Berisha lidhur me Kosovën nuk ështe asnjëherë me qëllim të mirë. Balla iu kujtoi gjithashtu edhe 9 rezolutat.
Balla: Kuvendi ka miratuar nga 1991 deri në 2025 9 rezoluta dhe 11 deklarata sa i përket gjtihçkaje ka ndodhur në Kosovë nga ‘91 e deri në 2025….Do të kërkoja që përpara se të hedhim në votim këtë kërkesë tuajën të radhës t’i lexoni dhe nuk do të harxhoj më asnjë sekondë nga koha e vyer e Kuvendit për këtë çështje për të cilën ua kemi dhënë përgjigjen shpesh. Por po kaloj në diçka që është emergjente, asgjë që vjen nga Berisha, e kur lidhet me Kosovën nuk ka ardhur dhe s’ka për të ardhur kurrë ndonjëherë për mirë. Vendimi i PD i bërë publik dje për të bojkotuar protestën e nesërme mbarëkombëtare në mbështetje të UÇK është konfirmim i qëndrimeve dhe veprimeve kundër interesit të Kosovës. Meqë thatë se nuk doni të jeni përkrah kryeministrit, ai nuk do të jetë nesër. Pse nuk vini? Me kushtin që të mos e politizojë. Bëni dhe ju nesër një protestë meqë nuk doni me veteranët e luftës së UÇK. As me ne, bëni një tuajën. Mos hajdeni në shesh, por bëjeni në Shqup ose në ndonjë shesh tjetër dhe me këtë rast do tu vijë më shumë.
Nga ana tjetër, Berisha akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama se “është argat i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç”.
Berisha: Gjatë periudhës 1998-1999 forcat barbare serbe kryen në Kosovë rreth 100 masakra, të evidentuara ndaj popullsisë së pambrojtur të saj. U vranë 1400 fëmijë. Të mohosh gjenocidin serb në Kosovë, të mohosh veten si shqiptar, të mohosh ndërgjegjjen e kombit, do të thotë të jesh një qenie pa ndërgjegjje shoqërore dhe kombëtare. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti. Si mund të transformoni gjakun tuaj. Edhe ju keni në familje njerëz që kanë luftuar, që kanë rënë për atdhe. A mundet një shqiptar të shkelmojë mbi këtë gjak. Kreu juaj është argat i Aleksandër Vuçiç./vizionplus.tv