Asgjësohen bimë kanabisi në Shkodër, procedohen 2 kryetarë fshatrash dhe 1 rojë mjedisi

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Në qarkun e Shkodrës vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, ku u asgjësuan 3126 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.
Policia e Shtetit bëri të ditur sot se u proceduan penalisht, për shpërdorim detyre 2 kryetarë fshatrash dhe 1 rojë mjedisi.
Sipas Policisë, në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Ana e Malit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 922 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Oblikë, shtetasin S. P.
Në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 1034 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Selcë, shtetasin A. D., dhe për rojën e mjedisit, shtetasin P. G.
Ndërsa në territorin e njësive administrative Temal dhe Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 1170 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.
Policia e Shteti bën të ditur se vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.
/k.s/